Gjirokastra, qarku më problematik për furnizimin me ujë të pijshëm në 2025
236 paralajmërime në një vit, numri më i lartë në rang vendi.
Qarku i Gjirokastrës rezulton më problematiku në vend për furnizimin me ujë të pijshëm gjatë vitit 2025, sipas raportit vjetor të Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor. Nga 1,548 inspektime dhe ri-inspektime të kryera në rang kombëtar, 283 janë realizuar në këtë qark, i cili ka marrë 236 paralajmërime, diferenca më e madhe krahasuar me çdo qark tjetër.
Inspektime të shtuara gjatë sezonit turistik
Nga totali i kontrolleve, 1,018 janë kryer gjatë sezonit turistik, kur kërkesa për ujë të pijshëm rritet ndjeshëm. Pas Gjirokastrës renditet Fieri me 248 inspektime dhe 51 paralajmërime, ndërsa Vlora ka regjistruar 265 inspektime, por vetëm 5 paralajmërime. Qarqe si Tirana, Korça, Shkodra dhe Kukësi nuk kanë pasur paralajmërime, ndërsa Elbasani ka marrë dy masa urgjente dhe dy paralajmërime. Në total, në rang vendi janë dhënë 296 paralajmërime dhe dy vendime për masa urgjente.
Mungesa analizash dhe probleme infrastrukturore
Shkeljet më të shpeshta lidhen me mungesën e analizave periodike, fiziko-kimike dhe bakterologjike për cilësinë e ujit, si dhe mungesën e akt-miratimeve higjieno-sanitare. Janë konstatuar depo uji të amortizuara ose të parrethuara, mungesë e rojeve 24-orëshe, mungesë e regjistrave të klorinimit dhe mosrinovim i certifikatave të dezinfektimit. Në disa raste janë evidentuar analiza mikrobiologjike pozitive për ndotje, çka ka sjellë masa administrative.
Sektor me risk të lartë
Raporti thekson se subjektet e furnizimit me ujë konsiderohen me risk të lartë dhe do të inspektohen tre herë në vit. Pesha e lartë e paralajmërimeve në Gjirokastër tregon për përqendrim problematikash në këtë qark dhe ngre shqetësime për mirëmbajtjen dhe kontrollin e cilësisë së ujit në disa zona të vendit.